Meg's take: E kam lexuar dhe përthithur emailin e parë të mikut tonë të rradhës sikur të ishte dhurata më e shtrenjtë që kisha marrë. Eshtë e rrallë dhe e tepër e vyer të vendosen krah për krah cilësitë që do t'ju lë t'i zbuloni vetë teksa lexoni bashkëbisedimin e mëposhtëm.
"Borderline Personality Disorder" apo BPD apo Crregullimi Kufijtar i Personalitetit është sa i keqdiagnostikuar aq edhe shumë sfidues. Mund t'ju jap pikat kryesore përshkruese si në manualin diagnostikues DSM apo ICD mbi BPD, por kam bindjen që diagnoza tipike si nëpër libra i shërben vetëm profesionistit; dhe atij deri diku. Kjo është temë për një ditë tjetër.
Them se është më e rëndësishme të jemi sy e vesh për të kuptuar (a), për të mbështetur (b), dhe për të krijuar hapësirën e duhur që cdo individ i shoqërisë të shkëlqejë dritën e vetë (c).
Me shumë dëshirë: Fillojmë!
1. Më trego pak për ditët e para që fillove të kuptosh se diçka po ndodh me shëndetin tënd.
Ditët e para që fillova të dyshoj se çfarë po përjetoja ishte diçka përtej “pubertetit” ka qenë në moshën 13 vjeçare. Në atë periudhë e dalloja mërzitjen apo ndjesinë e dëshpërimit tim të ishte diçka ndryshe nga spektri i emocioneve që kisha përjetuar deri më atëherë. Në po atë moshë kam nisur të luaj me idenë e vetë-dëmtimit e ta bëj për herë të parë.
Më kujtohet si një periudhë shumë e vështirë për mua si fëmijë; ndihesha e izoluar, e vetmuar dhe e pakuptuar nga njeri.
Në verën e atij viti dy vajza që njihja më sulmonin në rrjete sociale dhe i gjithë këndvështrimi im rrotullohej rreth mendimit se isha e papëlqyeshme dhe e urryeshme. Nga burime të ndryshme, për një kohë të gjatë në pubertet dhe adoleshencë dëgjoja se lëvizjet e humorit ishin të zakonshme për moshën që kisha. Shumë shpesh kjo pati një efekt zhvlerësues dhe minimizues për problemet e shëndetit tim mendor, duke më bërë të dyshoj vazhdimisht gjëndjen time, çka nuk ishte fare ndihmuese. Çështje të këtij lloji duhen trajtuar gjithmonë me shumë seriozitet dhe kujdes pasi janë shumë delikate dhe të rëndësishme, për mua u desh një rrugëtim i gjatë që ta kuptoja këtë.
2. Si ka qenë reagimi i njerëzve që të njihnin kundrejt sjelljeve, dëshirave, mendimeve të tua?
Reagimet kanë qenë të shumëllojshme përgjatë viteve. Kryesisht njerëzit e dashur janë përpjekur të më ndihmojnë. Çështja është se duke qenë një temë sensitive, është mirë të ketë ndërgjegjësim dhe informacion mbi mënyrën e duhur se si duhet komunikuar kur dikush po kalon një periudhë të vështirë, si duhet mbështetur. Dhe për kontekstin tonë kulturor unë do të thoja se është shumë e rëndësishme, duke qenë se ne ushtrojmë një gjuhë mjaft agresive.
Pavarësisht qëllimeve të mira që njerëzit përreth meje mund të kenë patur, kjo ka qenë mënyra më e mirë se si ata kanë ditur të përgjigjen apo të më këshillojnë në moment. Do të thoja se ka patur dhe frikë në atë mes. Çka është më se e kuptueshme. Megjithatë shprehi të tilla nxisin ndjenja përgjegjësie për gjendjen e keqe në të cilën personi e gjen veten, ndjenja faji për emocionet që përjeton, paaftësie e gjykimi ndaj vetes.
Është okej mos të dish çfarë të thuash në një situatë, ndonjëherë ndihmon thjesht të kesh dikë që të dëgjon. Është okej dhe ta shprehesh se “nuk di ç’të thuash“, megjithatë të jesh aty për personin dhe sinqeriteti vlejnë dhe janë shumë të dobishme. Është e rëndësishme të kuptohet se jo të gjitha situatat mund të dimë si t’i menaxhojmë, e kjo gjithashtu është shumë në rregull, jo çdo gjë mund të shërohet me ilaçe popullore. Këtu hyjnë në punë profesionistët e shëndetit mendor. Të marrim përgjegjësi për të vërtetën tonë e të themi se nuk kemi kapacitetin për ta ndihmuar dikë, megjithatë ta referojmë atë në një këshillues, psikolog, psikoterapist apo psikiatër e ta mbështesim për këtë qasje të re të trajtimit të problemeve që do të ndërmarri, do të ishte shumë më ndihmuese.
3. Çfarë të ndihmoi dhe çfarë të pengoi kur kërkove ndihmë në fillim (i), kur ishe në zhvillim të vështirësive (ii), dhe tani (iii)?
Do të thoja se për shumë kohë mungesa e informacionit mbi qasjet e duhura për t’u kujdesur për shëndetin tim mendor, besimet e rreme negative, mungesa e një rrjeti mbështetës dhe inkurajues, pozitivë, kanë qenë pengesa për një kohë të gjatë.
Në fazat e para kur kërkova ndihmë profesionale, ka qenë shumë e dobishme ndjekja e terapisë si një shtyllë ku unë mund të mbështetesha në momente shumë të vështira kur nuk mund t’ia dilja dot e vetme. Më ka ndihmuar mbështetja e familjes për të shkuar në terapi, pavarësisht se ata nuk e kuptonin situatën, ma kanë mundësuar ndjekjen e saj pavarësisht pamundësisë ekonomike.
Dëgjoj shumë raste ku mbështetja mungon, madje dhe për ekzistencën e një kundërvënieje ndaj idesë së trajtimit psikologjik nga familja, e mendoj se nuk mund të ketë gjë më të dëmshme se kjo.
Më ka ndihmuar të kem disa persona të cilët më kanë dashur e më kanë bërë të ndihem e pranuar për atë që jam.
Tani për mua është një situatë tjetër duke qenë se kam më shumë eksperiencë dhe njohuri mbi çfarë funksionon për mua. Dhe nuk mund të ishte ndryshe, m’u desh të përjetoja ç’kam përjetuar në mënyrë që të merrja shumë prej njohurive për çfarë është e dobishme për mua sepse vetëm në këtë mënyrë mund të fitoheshin.
Sot më ndihmon terapia që ndjek, njerëzit të cilët i kam rreth meje dhe e di se më duan e do më mbështesin dhe inkurajojnë, mjekimi që marr, informacioni, praktikat e ndryshe të kujdesit ndaj vetes. Një sërë mënyrash që unë ndjek. E çfarë vazhdon më pengon është mungesa e përgjithshme e ndërgjegjësimit të shoqërisë. Për mua këto eksperienca zënë një pjesë të madhe të jetës sime dhe ndonjëherë dhe të përditshmërisë sime, sidomos në ditët e këqija. E megjithatë ky është një aspekt i heshtur i jetës sime për të cilin unë nuk flas dot lirshëm me shumë njerëz e shpesh-herë.
4. Sot, me gjithë përvojën e dijen qe ke mbi vete, çfarë bën për të parandaluar episode dhe nëse ndodhin, për t’i trajtuar ato?
Përsa i përket parandalimit do të thoja se një kujdes i vazhdueshëm ndaj vetes është efikas në mënyrë të përgjithshme. Për mua është aktiviteti fizik, prej tre vitesh praktikoj një art marcial. Më pëlqen t’i jap biçikletës dhe kohët e fundit kam nisur të shkoj në palestër për të mbajtur trupin në formë. Ka ditë që kam një vorbull në mendje e cila nuk më lejon të mendoj qartë e më bën të ndihem e thyer. Të bëj aktivitet fizik më ndihmon të dal jashtë mendjes sime e të jem në moment e tashëm. E përgjithësisht ndihem më e lumtur dhe e çliruar pasi kam djersitur ca. Ndonjëherë përfytyroj veten të nxjerr jashtë mendimet negative nëpërmjet vrapit apo mundit fizik që jap teksa stërvitem e kjo më ndihmon.
Një tjetër teknikë për mua ka qenë meditimi. Jam munduar të meditoj rregullisht, të paktën 30 minuta çdo ditë. Kam gjetur një teknikë të meditimit e cila ishte më praktikja dhe e lehta për mua për ta ndjekur çdo ditë e atë praktikoj. Meditimi më ndihmon të qartësoj mendimet e të krijoj një largim nga emocionet, të cilat në rastin tim bëhen shumë intensive dhe më çorientojë e më shkundin stabilitetin tim mendor. Gjithmonë pasi kam mbaruar së medituari ndihem e qetë e me ide të reja e produktive për të zgjidhur probleme të ndryshme të ditës sime.
Të shkruarit është një tjetër veprimtari. Të shkruaj një ditar mirënjohje më ndihmon të dal nga katastrofizimi i mendjes sime e t’i shikoj gjërat në një dritë tjetër.
Të gjitha këto veprimtari jam përpjekur ti kombinoj në një rutinë të përditshme e cila do më jepte më shumë qëndrueshmëri dhe në ditët e vështira. Përpiqem që ta ndjek sa herë që është e mundur.
Dhe nuk është e lehtë të ndjekësh të njëjtën rutinë me disa lloje aktivitetesh çdo ditë, megjithatë kam mësuar që sa herë nuk ia dal mund ta provoj e nis sërish nga e para. Kujdesi ndaj vetes nuk është qëllim por është gjithmon në proces.
Terapia gjithashtu është një gjë që prej vitesh ndjek e nuk e ndaj nga vetja. E kohët e fundit në listë janë shtuar dhe medikamentet. Antidepresantët kanë patur një ndikim shumë të mirë mbi kiminë e trurit tim. Gjithmonë kam qenë skeptike ndaj tyre e i kam rezistuar si lloj trajtimi, duke qenë dhe se jam rritur me një mentalitet ku besohet se “Mund t’ia dalësh me vullnetin tënd e nuk është nevoja për ilaçe.” Përvoja më tregoi se ndonjëherë është e nevojshme e nuk ka asnjë gjë të keqe. Ka qenë mirë për mua të eksploroj mënyra të ndryshme e kjo më ka çuar përpara drejt progresit. Dëshira për të përmirësuar veten ka qenë baza e nxitjes sime mbrapa të gjitha përpjekjeve të vazhdueshme e këmbëngulëse.
Megjithatë nuk ka asnjë mënyrë për të parandaluar tërësisht episodet apo ditët e këqija. Kur ato vijnë kam mësuar t’i menaxhoj më mirë.
Më pëlqen t’i them vetes se ajo që po përjetoj është e përkohshme e do të kalojë së shpejti, e se është okej të kem ditë të këqija e mos ta gjykoj veten për ç’po më ndodh. Ama ka dhe ditë kur nuk jam në gjendje të mendoj racionalisht dhe t’i jap vetes këto këshilla. Dhe kjo është gjithashtu okej. Të ndihem e humbur dhe e pafuqishme. Kam mësuar t’i hapem e besoj më shumë njerëzve me ndjenjat e mia apo me momentet e mia vulnerabël.
5. Pse dëshiron ta ndash historinë tënde me të tjerët?
Dëshiroj të ndaj historinë time sepse e di që ka shumë të tjerë si unë të cilët kalojnë të njëjtat vështirësi. Mendoj se njohuria që unë kam fituar me vitet mund të jetë e vlefshme për njerëzit e tjerë. Përveç kësaj, të dish se nuk je vetëm në këtë betejë është një lehtësim shumë i madh, kështu ka qenë dhe për mua. Është e rëndësishme të flasim për këto çështje e t’i normalizojmë, t’i bëjmë më të pranueshme për shoqërinë tonë sepse në këtë fushë heshtja, gjykimi, stigma, mund të kenë pasoja të rënda për cilësinë e jetës së individëve.
E duke ndarë historinë time po kuptoj dhe sa çliruese është të flas të vërtetën time pa u rezervuar.
Të jam mirënjohëse BananaDitar për punën që bën dhe për hapësirën që më dhurove për t’u shprehur!
--
Tani që erdhe në fund të kësaj grimce njerëzore që dikush më kurajoz se unë vendosi të ndajë me ne, shpresoj që të të ketë shërbyer sado pak për të të rikujtuar se pas një etiketimi, gjendet një njeri fantastik!
"Fjalët e tepërta janë fukarallëk" thotë populli, prandaj unë po e mbyll këtu.
Për cdo pyetje, koment, mendim, sugjerim për mua a bashkëbiseduesin tim, mjafton të më shkruani dhe do t'ja përcjell sipas nevojës.
Gjithë të mirat e qofsh shëndetplot,
Megi
NUK LEJOHET SHPERNDARJA E SHKRIMIT PA FOLUR ME MUA. :)
Comments
Post a Comment