Pyetje
Kush ka të drejtë të hidhërohet e pikëllohet?
Për sa kohë?
Kur mbaron periudha e zisë?
A kalohet ndonjëherë dhimbja e humbjes?
Kush ka të drejtë të këshillojë a japë mend për daljen nga situata?
Si mund të ndihmojnë specialistët konkretisht me traumën e humbjes?
Pyetje krejtësisht normale ku shumë nga ne mund ta kenë gjetur veten duke menduar të paktën një prej tyre. Të them të vërtetën, kur nisa të kërkoja për këtë temë, prisja dikë diku që e kishte zgjidhur enigmën e humbjes, e kishte hapur në pjesë 'si, qysh, tek-un' dhe unë mund ta shkruaja e riprodhoja sipas mënyrës sime për ta ndarë me ty.
Besoj mund të kuptohet nga fjalia e fundit se dicka e tillë nuk ndodhi. Një shok më thotë se jetoj në botën e cudirave sepse ndër të tjera mendoj se ka përherë një mënyrë për ta parë situatën nga një këndshvështrim ku duket e bëshme, e zgjidhshme, e kapërcyeshme. Dhe tani, do thuash ti, djali paska patur të drejtë, sepse une nuk e gjeta zgjidhjen gjithëpërfshirëse që prisja. POR gjithmonë ka një por.
Cfarë gjeta, cfarë kuptova, cfarë mendoj se ia vlen ta ndaj me ty - e kam strukturuar në 4 seksione.
• I pari është i dedikuar atyre që kanë humbur dikë të dashur.
• I dytë është i dedikuar atyre që duan të ndihmojnë dhe t'i rrinë pranë dikujt që ka pësuar një humbje.
• I treti është i dedikuar informacionit me specialist rreth hidhërimit.
• I katërti është i dedikuar hidhërimit gjatë Sars-CoV-2.
Fillojmë.
1. Nëse ke humbur dikë të dashur
Nuk ka strategji apo ilace që ta zhdukin dhimbjen e humbjes përnjëherësh. Besomë, kontrollova. Hidhërimi që ndjen është shpesh reflektim i dashurisë dhe respektit që ke patur për të dashurin tënd. Është i pashmangshëm, vetëm i vonueshëm në kohë. Dëshira për ta mpirë a shpërqëndruar veten, ndihmon për të përballuar përditshmërinë por mund të kthehet si boomerang. Dhimbja duhet pranuar. Duhet përjetuar. Duhet procesuar, ku ka nevojë pranë një specialisti. Dhimbjet e paprocesuara mbarten brenda nesh dhe mund të shfaqen në kriza paniku të papritura kur je duke bërë dicka krejtësisht normale (p.sh. po ha drekë me miqtë).
Unë s'jam askushi që të të them si duhet ta kalosh dhimbjen. Mos ia lejo askujt të të japë udhëzimet ekzakte apo siqyshtek-un, sepse të gjthë e përjetojmë dhimbjen ndryshe. Si rezultat, rrugëdaljet janë të ndryshme. Mos lejo dikë që të të flasë për dhimbjen e humbjes së tyre si sipërore mbi tënden. Nuk kemi hierarki dhimbjesh subjektive, sepse që nga emri, të gjithëve na dhemb e jona më shumë. Krahasimi duke zvogëluar dhimbjen e tjetrit, nuk i shërben askujt. Mund ta lexojmë dy herë ketë.
Më poshtë po shkruaj disa strategji që mund t'i ndjekësh për procesimin e dhimbjes:
1. Flisni për humbjen e të dashurit tuaj. Me ata që dëshironi, kur të ndiheni gati. Shmangia e kësaj mund të cojë në izolim e të ndikojë në procesin e shërimit.
2. Kujdesuni për veten dhe familjen tuaj. Pranojini ndjenjat që ju vijnë, kërkoni ndihmë nëse duket e pamundur. Procesi i hidhërimit shpesh është i lodhshëm fizikisht, prandaj duhet të ushqeheni dhe të flini kur keni mundësi.
3. Kujtojini dhe festojani jetën të dashurit tuaj. Përvjetoret janë ditë vecanërisht të vështira, por mund t'i ktheni në ditë të mirëpërdorura. Mund të mbillni një pemë si shenjë respketi, mund të krijoni një faqe virtuale bashkë me kontributin e njerëzve të tjerë për të dashurin tuaj, apo të gjeni mënyrën tuaj origjinale.
4. Jepi vetes mundësinë të shkëputesh nga këto ndjesi pa u ndjerë fajtor. Të lejohet të qeshësh, të njohësh njerëz të rinj, e njëkohësisht të jesh vlerësues për të dashurin tuaj.
Nëse ke dëshirë të ndash dicka që mendon se mund të ndihmojë dikë tjetër, dera ime virtuale ështe e hapur. Po jetojmë në një kohë ku humbjet po i prekim cdo ditë, prandaj të gjithë kemi nga pak nevojë për një 'pick me up' a një dozë mbështetjeje.
2. Nëse do të mbështesësh dikë që ka pësuar humbje
Këtë pikën e kam pak personale sepse edhe për shkak të profesionit, shpesh e ndiej nevojën që t'i jap dikujt mbështetjen time më të mirë të mundshme. Pavarësisht përpjekjes për t'u përmirësuar në mbështet-dhënie, përherë reagimi im i parë instiktiv është një mpirje momentale. Nuk di c'fjalë të them të parën, nuk di cfarë të bëj me fytyrën time, nuk di nëse bëj mirë të pyes apo të rri në qetësi.
Kjo, kam kuptuar, ndodh shpejt në brendësi të kokës sime, ndërsa harroj që në këtë marrëdhënie jemi 2: unë dhe personi përballë meje që dua të mbështes.
Është e nevojshme që të lëmë personin tjetër të na udhëzojë përpara se të bëjmë ato reagimet tona të para si 'mos u mërzit' apo shprehje të pandjeshme si 'të mirët i merr Zoti'. Përvec rasteve kur jeni në brendësi të botëkuptimit fetar a shpirtëror të tjetrit, duhet të keni shumë kujdes për shprehjet që përdorni. Shtuar këtu, nuk ka rëndësi nëse ti nuk e kupton si dikush bën paqe me humbjen. Kjo mund të jetë e mësuar nga kultura apo besimi që ka. Nuk ke të drejtë ta vësh në lojë e t'ia zvogëlosh domethënien e dickaje që ndoshta nuk arrin ta kuptosh.
Disa pika konkrete do të ishin si më poshtë:
1. Ndiq drejtimin e personit përpara se t'i ofrosh këndvështrimin tënd.
2. Mos gjyko nëse janë 'mjaftueshëm të mërzitur' apo nëse 'po e zgjasin shumë periudhën e hidhërimit'. Të gjithë marrin kohën që i duhet.
3. Mos u përpiq që t'i bësh të flasin me zor. Mund t'i ofrosh një vesh për të dëgjuar, por jo kur do ti.
4. Jepi ndihmë praktike kur të duan të bëjnë dicka a të flasin për humbjen e tyre. Psh t'i shoqërosh për në kafe, t'i bësh pyetje kur sheh që do të të tregoje; pra duke e bërë të ndihet se kujtimi i të dashurit të tyre po vlerësohet dhe respektohet.
Ah, nëse jeni në afërsi fizike, do të ishte mirë të kontrollonit marrjen e ujit dhe ushqimit.
3. Nëse doni informacion specialist
Humbja e dikujt të dashur është sugjeruar të jetë nje nga përvojat më të dhimbshme që mund të kalojmë në jetë (Bonanno and Kaltman, 1999). Sapo kërkon për 'grief' apo hidhërimin si sindromë, të dalin 5 apo 7 hapat e famshëm që nisën nga Elisabeth Kubler-Ross në 1969. Hapat ku mendohet se kalon dikush pas një humbjeje janë: Shoku, mospranimi, inatosja, tregëtia, depresioni dhe pranimi. Këto janë gjendje që mund të përjetohen pas humbjes së dikujt që duan, por jo domosdoshmërisht të gjitha dhe jo përherë në këtë rradhë apo ndasi. Studimet tregojnë se zakonisht përjetimi i humbjes përfshin mbivendosje të emocioneve të vazhdueshme apo në shfaqje akute, sesa një rradhe progresive si modeli i Kubler-Ross. Shtuar këtu që hidhërimi përfshin shumë faktorë si emocionalë, fizikë, konjitivë, sjellorë, socialë, kulturorë, shpirtërorë dhe filozofikë. Prandaj ky model është më përgjithësues sesa realiteti.
Nëse i hedhim një sy studimeve me bazë fMRI (imazheri e trurit), shohim që hidhërimi në tru përfaqësohet nga rritje e inflamacionit dhe aktivizim i strukturave përgjegjëse për procesimin e emocioneve (anterior cingulate cortex, orbitofrontal cortex, amygdala). Në rastet kur njerëzit po përpiqen ta shmangin përjetimin e hidhërimit, kemi parë nënaktivizim të zonave më siper. Përvec studimeve me baze fizike, kemi informacion për faktorët që mund të ngadalësojnë procesin e shërimit pas humbjes.
Këto përfshijnë:
A. Mendimet maladaptive
1. Katastrofizimi: Besimi që më e keqja do të ndodhë
2. Ruminacioni: Përsëritja e të njëjtit mendim në kokë
3. Mendimet me 'po sikur': Mendimi se si gjërat mund të ishin ndryshe
B. Sjelljet keqfunksionale dhe reagime të trupit
1. Shmangia e rikujtimeve që dikush nuk jeton më, si psh varrezat apo sendet e të ndjerit
2. Shmangia e personave që ta kujtonë
3. Ndryshim në mirëushqyerje, ushtrim fizik, kontakt social
4. Përpjekje për tu arratisur nga realiteti i dhimbshëm i mungesës së dikujt, duke kaluar kohë me gjërat e të ndjerit
5. Dhimbje Fizike
C. Keqfunksionimi emocional
1. Vështirësi në menaxhamin e emocioneve të dhimbjes
2. Gjumi i parregulltë
3. Pamundësia e përjetimit të ndjesive pozitive
4. Hidhërimi gjatë Sars-CoV-2
Situata e pandemisë e ka goditur dhe përkeqësuar përjetimin e hidhërimit pas humbjes për shkak të disa arsyeve si më poshtë:
• Izolimi i personave të sëmurë pa praninë e të dashurëve të tyre
• Vdekjet e menjëhershme dhe të papritura
• Identifikimi i trupit nga larg
• Varrimet dhe ceremonitë funerale të munguara apo të zvogëluara
• Inatosja dhe fajësimi për parandalimin e vdekjes
• Ndjesi të lidhura me mungesën e drejtësisë.
Për një pjesë të popullësisë, hidhërimi pas humbjes, do të jetë kronik (i zgjatur e i vazhdueshëm). Ky njihet si Crregullimi i Zgjatur i Hidhërimit (PGD). Sipas përllogaritjeve deri në Dhjetor 2020, ka patur 1.5 mln vdekje nga Sars-CoV-2 (OBSH), mesatarisht 4 individë të hidhëruar prej 1 humbje, me incidencë të PGD nga 10-30%: rezulton në 600,000 - 1.8 mln njerëz që mund të diagnostikohen me këtë crregullim nga vdekja e drejtpërdrejtë prej virusit. Këto shifra janë alarmante. Sot për sot ne nuk kemi një ilac, një terapi, një zgjidhje për PGD apo qoftë dhe për hidhërimin akut. Prandaj duhet të mblidhemi e të mendojmë për zgjidhje asap.
Erdhëm në fund të këtij shkrimi jo të thjeshtë, as për ju që e lexuat, e as për mua që e krijova. E megjithatë, vetëm sepse dicka është e veshtirë, nuk do të thotë që mund të lihet pa u trajtuar. Me durim, përkushtim dhe kur të jemi gati.
Nuk jeni vetëm, ju lutem kërkoni ndihmë nëse ju nevojitet.
Ju përqafoj dhe kujdesuni për veten,
Megi
Referencat
1. APA, Grief.
2. Science direct, Sauteraud 2018.
3. Wikipedia, Grief.
Comments
Post a Comment